BDI drejt reformave të brendshme: pritet Kongresi me emra të rinj dhe largim të figurave të vjetra

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) pritet të mbajë Kongresin e partisë deri më 20 dhjetor, nga i cili pritjet janë për reforma të thella dhe përfshirjen e emrave të rinj në skenën politike, duke larguar figurat që prej kohësh kanë qenë pjesë e kryesisë.

Sipas burimeve të TV21 brenda partisë, në mbledhjen e fundit të kryesisë është arritur marrëveshje për rinovim të strukturave, ndërsa ndryshime priten edhe në degët lokale të BDI-së. Një sinjal për këtë u dha edhe me përbërjen e re të Këshillit Organizativ të Kongresit, ku shumica janë emra të rinj.

Lëvizjet e fundit në parti lidhen edhe me komunikatën e Sekretariatit për Mundësi të Barabarta, nga ku u kërkua përgjegjësi për integritetin politik dhe moral të funksionarëve.

“Ngjarjet e fundit kanë hapur debat të gjerë në shoqëri dhe kanë ngritur nevojën për reflektim të thellë brenda strukturave të partisë. BDI-ja është ndërtuar mbi vlera të qarta politike dhe morale – integritet, drejtësi, barazi dhe përkushtim ndaj qytetarëve – vlera të cilat duhet të ruhen dhe të përfaqësohen me dinjitet nga të gjithë anëtarët tanë”, thuhet në reagimin e Sekretariatit.

Sipas analistit Xhelal Neziri, kalimi i BDI-së në opozitë e bën më të lehtë procesin e reformimit:

“Tani, si opozitë, BDI e ka më të lehtë të reflektojë dhe të reformohet. Deri më tani kanë qarkulluar fytyrat e njëjta, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve lokale treguan qartë se partia duhet të ndryshojë diçka. Ajo ka të dhëna të mjaftueshme për të parë se ku duhet të përmirësohet,” – tha Neziri.

Ndërkohë, burime nga kryesia e partisë pohojnë se në mbledhjen e fundit është diskutuar edhe çështja e grupit parlamentar të Frontit Evropian, por ende mbetet e paqartë nëse do të ketë ndryshime në përbërjen e tij.

Kongresi i ardhshëm shihet si një moment kyç për riorganizimin e BDI-së, e cila pas më shumë se dy dekadash në pushtet, po përballet me sfidën e ripërtëritjes së brendshme dhe ruajtjes së ndikimit politik në skenën shqiptare të Maqedonisë së Veriut.