Bashkëshortja e Andrej Gjorgjieskit kërkon hetim të plotë parlamentar për tragjedinë në kabaren “Puls” në Koçan
Natalija Gjorgjieska, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Andrej Gjorgjieski nga grupi DNK, i cili humbi jetën në zjarrin tragjik në kabaren “Puls” në Koçan, sot mbajti një fjalim emocional para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ajo, në emër të familjeve të viktimave, u bëri thirrje deputetëve që të nisin një debat mbikëqyrës dhe të krijojnë një komision të posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të rastit.
Gjorgjieska theksoi se familjet kërkojnë përgjigje të qarta për vonesat e institucioneve dhe për neglizhencën e mundshme që, sipas tyre, mund të ketë kushtuar jetë njerëzish.
“Dëshirojmë të dihet pse institucionet reaguan me vonesë. Asnjë familje nuk duhet të mbetet me mendimin se dikush mund të shpëtohej, por nuk është shpëtuar. Kërkojmë të zbardhet e vërteta – ku janë bërë gabimet, kush nuk ka reaguar dhe cilat institucione nuk e kanë kryer detyrën,” tha ajo.
Ajo shtoi se hetimet deri tani kanë qenë të paplota dhe kanë lënë pas shumë pyetje të hapura, duke krijuar dyshime se e vërteta po fshihet. Sipas saj, tragjedia përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut – të drejtës për jetë, siguri dhe reagim të shpejtë institucional kur jeta e qytetarëve është në rrezik.
Gjorgjieska theksoi se komisioni hetimor është i domosdoshëm jo vetëm për të përcaktuar përgjegjësinë eventuale institucionale apo politike, por edhe për të hartuar masa që do të parandalojnë përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
“Ne nuk kërkojmë mëshirë. Asgjë nuk i kthen më të dashurit tanë dhe nuk e shuan dhimbjen. Kërkojmë vetëm të vërtetën institucionale, një procedurë të drejtë dhe garanci që asnjë familje tjetër të mos përjetojë atë që përjetuam ne. Është detyrimi juaj të mbroni qytetarët,” u tha ajo deputetëve.
Ajo shtoi se marshimi i sotëm është zëri i njerëzve, prindërve dhe familjeve që e kuptuan se tragjedia e Koçanit mund t’i kishte ndodhur kujtdo, duke treguar se askush nuk është i sigurt kur institucionet dështojnë të reagojnë.
“Marshi për engjëjt” nisi në ora 12:05 nga sheshi “Maqedonia” në Shkup, duke bashkuar mijëra qytetarë në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë.

