Arbëresha Vlashi: Kur aftësia e kufizuar kthehet në arsye për përjashtim: turpi institucional dhe dështimi i shtetit për të mbrojtur të drejtën për punë

Kur aftësia e kufizuar kthehet në arsye për përjashtim: turpi institucional dhe dështimi i shtetit për të mbrojtur të drejtën për punë

Përjashtimi i personave me aftësi të kufizuara nga tregu i punës në Republikën e Maqedonisë së Veriut është pasojë direkte e një dështimi të rëndë institucional dhe politik, që ekspozon mungesën e vullnetit real të shtetit për të garantuar barazi, drejtësi sociale dhe dinjitet njerëzor.
Pavarësisht kornizës ligjore ekzistuese, institucionet kompetente kanë dështuar të veprojnë, duke lejuar që diskriminimi të maskohet si vendimmarrje administrative apo “arsyetim ekonomik”.

Rasti i Burhan Bekteshi nga Shkupi është një shembull flagrant i këtij dështimi. Largimi nga puna i një personi për shkak të gjendjes së tij shëndetësore përbën shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave themelore të njeriut dhe një sinjal alarmues se sistemi nuk mbron qytetarët më të cenueshëm.

Humbja e vendit të punës nuk është thjesht humbje e të ardhurave, por rrënim i sigurisë sociale, pavarësisë personale dhe dinjitetit, duke e shtyrë individin drejt varfërisë, izolimit dhe përjashtimit afatgjatë nga jeta ekonomike.

Mungesa e politikave aktive për punësim, refuzimi i akomodimit të arsyeshëm dhe heshtja institucionale përballë rasteve të tilla dëshmojnë se diskriminimi ndaj personave me aftësi të kufizuara nuk është përjashtim, por praktikë e toleruar. Institucionet shtetërore, përfshirë inspektoratet dhe mekanizmat mbrojtës, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë situatë.

Si Bashkim Demokratik për Integrim, ne e konsiderojmë këtë rast si sulm ndaj parimeve të barazisë, drejtësisë dhe standardeve evropiane që shteti pretendon se i përfaqëson. E drejta për punë është e drejtë universale, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga Konventat ndërkombëtare dhe nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

Çdo përpjekje për ta mohuar këtë të drejtë mbi bazën e aftësisë së kufizuar është akt diskriminues dhe i papranueshëm politikisht dhe moralisht.

BDI kërkon reagim të menjëhershëm institucional, përgjegjësi konkrete dhe masa të qarta për ndalimin e praktikave diskriminuese në tregun e punës. Heshtja dhe mosveprimi përballë këtyre rasteve përbëjnë bashkëfajësi. Një shtet që përjashton qytetarët e tij më të cenueshëm nga puna dhe jeta aktive ekonomike nuk mund të pretendojë se ndërton demokraci funksionale dhe shoqëri evropiane.

Arbëresha Vlashi
Sekretare për mundësi të barabarta