Aksident i rëndë në rrugën Forinë–Gostivar, lëndohet rëndë një 23-vjeçar nga Çegrani
Një aksident i rëndë trafiku është regjistruar mëngjesin e 4 nëntorit 2025, rreth orës 09:00, në rrugën rajonale që lidh fshatin Forinë me qytetin e Gostivarit.
Sipas raportimit të TetovaSot, automjeti i udhëtarëve i tipit “Audi” me targa të Tetovës, që drejtohej nga A.B. (23) nga fshati Çegran i Gostivarit, ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit, shoferi ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, ku lëndimet i janë konstatuar nga personeli mjekësor.
Në vendin e ngjarjes është kryer inspektim nga ekipi i hetimeve të Departamentit për Punë të Brendshme (DPB) Gostivar, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

