Ahmeti në Kërçovë: “Shqiptarët janë autoktonë, misioni i rinisë është mbrojtja e gjakut të derdhur për liri”
Sonte në Kërçovë u mbajt një takim i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kandidatit për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, me të rinjtë dhe të rejat e qytetit. Ngjarja u zhvillua në kuadër të diskutimeve për programin e ri katërvjeçar të qeverisjes lokale, ku rinia u theksua si forca kryesore për vizionin e një Kërçove të bashkuar, raporton Flaka.

Ahmeti në fjalimin e tij veçoi ministrin Kreshnik Bekteshi, të cilin e quajti “i burgosuri i fundit politik”. Ai shtoi se shqiptarët në Maqedoni kanë kaluar periudha të rënda të cenimit të dinjitetit dhe integritetit, por kanë qëndruar të palëkundur në ruajtjen e identitetit të tyre.
“Shqiptarët nuk janë ardhacakë, por janë autoktonë bashkë me diellin që ka lind. Të ua mohosh shqiptarëve gjuhën dhe historinë është padrejtësi e madhe. Sot disa politikanë, me vetëdije ose pa vetëdije, po tentojnë të zbatojnë teza të Çubrilloviçit e Grashaninit,” – tha Ahmeti, duke marrë ovacione dhe thirrje “UÇK, UÇK” nga të pranishmit.
Ai kujtoi sakrificat e brezit të viteve 2001, duke theksuar se Universiteti i Tetovës është i vetmi në botë i hapur me gjak.
“Vëllezërit tuaj para 24 vitesh derdhën gjak për flamurin, për Universitetin, për gjuhën. Sot misioni i rinisë është të mbrojë këtë krenari dhe gjak të derdhur për lirinë tonë,” – theksoi Ahmeti.
Nga ana e tij, kandidati për kryetar të Kërçovës, Fatmir Dehari, iu drejtua të rinjve duke thënë se forca e tyre është garancia e fitores.
“Ju të dashur të rinj, të dashurit e Xhaxhit, sonte jeni këtu me ne. Parashtrohet pyetja: ku janë kandidatët e tjerë, ku i kanë njerëzit? Ejani këtu, sepse këtu është ardhmëria, këtu është shpresa dhe këtu është fitorja,” – u shpreh Dehari.

