Ademi mbron Salin dhe kritikon Filkovin: Ligji për gjuhët është i qartë dhe duhet zbatuar

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me debatin mes ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, dhe zëvendëskryeministrit Bekim Sali, duke e kritikuar ashpër qëndrimin e ministrit dhe duke mbështetur interpretimin e Salit për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ademi vlerësoi se Filkov gabon në interpretimin juridik, duke theksuar se problemi nuk qëndron te Kushtetuta apo ligji, por te, siç e quajti ai, “qasja dhe mentaliteti” i ministrit. Sipas tij, Ligji për përdorimin e gjuhëve, i miratuar në vitin 2018, është “lex specialis” dhe rregullon qartë përdorimin zyrtar të gjuhëve në të gjitha institucionet shtetërore.

Ai theksoi se neni 1, paragrafi 3 i ligjit përcakton se gjuha që flitet nga së paku 20 për qind e qytetarëve është gjuhë zyrtare në të gjitha organet shtetërore, përfshirë edhe komisionet, si ai për provimin e jurisprudencës. Ademi kundërshtoi trajtimin e kësaj çështjeje përmes ligjeve sektoriale, duke e cilësuar atë si qasje të gabuar.

Në fund, megjithëse pranoi se ka dallime të mëdha politike me Bekim Salin, Ademi theksoi se në këtë rast ai ka të drejtë, duke nënvizuar se Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve janë të qarta dhe duhet të zbatohen pa interpretime selektive.