Ministri i Drejtësisë Filkov i përgjigjet ashpër Bekim Salit: Provimi i jurisprudencës nuk mund të jepet në shqip, Kushtetuta nuk interpretohet politikisht

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit Bekim Sali lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se interpretimet politike të Kushtetutës dhe ligjeve kanë përfunduar me largimin e LSDM–BDI nga pushteti.

Filkov deklaroi se Qeveria aktuale është e përkushtuar ndaj sigurisë juridike, rregullave të qarta dhe respektimit të rendit kushtetues, duke refuzuar relativizimin juridik dhe zbatimin selektiv të ligjeve. Sipas tij, Kushtetuta duhet të lexohet në mënyrë të plotë dhe konsekuente, e jo sipas nevojave të përditshme politike.

Ai bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka shqyrtuar peticionin e studentëve për dhënien e provimit në shqip, por ka konstatuar se Ligji për provimin e jurisprudencës nuk parashikon mundësi për dhënie të provimit në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Filkov sqaroi se ky provim është kusht kyç për hyrje në gjyqësor dhe profesionet juridike, ku ligjet kërkojnë njohje aktive të gjuhës maqedonase.

Ministri iu referua nenit 7 të Kushtetutës, duke theksuar se maqedonishtja dhe alfabeti cirilik kanë pozitë primare si gjuhë zyrtare, ndërsa përdorimi i gjuhëve të tjera lejohet vetëm në mënyrën e përcaktuar me ligj, pa e cenuar këtë pozitë.

Në fund, Filkov hodhi poshtë akuzat se Ministria “nuk ka argumente”, duke i cilësuar ato si politike dhe të pabaza, dhe theksoi se drejtësia nuk duhet të jetë mjet i narrativave politike. “Politika bëhet në zgjedhje, por institucionet funksionojnë mbi Kushtetutë dhe ligje”, përfundoi ai.