Irani refuzon raundin e dytë të bisedimeve me SHBA-në
Irani ka refuzuar të marrë pjesë në një raund të dytë bisedimesh paqeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA.
Sipas raportimit, Teherani e justifikon këtë vendim me “kërkesat e tepërta të Uashingtonit, pritjet jorealiste, ndryshimet e vazhdueshme në qëndrime, kontradiktat e përsëritura dhe bllokadën detare në vazhdim”.
Ky zhvillim vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se pritej një raund i ri negociatash mes palëve. Ndërkohë, në deklarata të mëhershme, ai kishte paralajmëruar se SHBA mund të ndërmerrte veprime të ashpra ndaj Iranit nëse nuk arrihej marrëveshje.
Sipas burimeve ndërkombëtare, një delegacion amerikan, ku përfshihet edhe zëvendëspresidenti JD Vance, pritej të udhëtonte drejt Pakistanit të hënën në kuadër të përpjekjeve diplomatike.
Situata mbetet e tensionuar edhe për shkak të zhvillimeve të fundit në rajon, përfshirë bllokadën detare dhe mosmarrëveshjet rreth Ngushticës së Hormuzit, ndërsa një marrëveshje armëpushimi dyjavore mes palëve pritet të skadojë së shpejti.

