VIDEO/Ajatollahu kërcënon Izraelin me këtë video: Sonte bota do të deshmojë fundin e sionizmit!
Një postim i Alireza Arafi në platformën X ka nxitur reagime të shumta dhe ka shtuar tensionet në rajon. Ai përmendet nga disa media ndërkombëtare si pasardhës i mundshëm i Ali Khamenei në postin e Liderit Suprem.
Në mesazhin e tij në anglisht, Arafi shkroi: “Këtë natë, bota do të dëshmojë fundin e arrogancës së sionistëve”, duke e shoqëruar deklaratën me një video ku shfaqet një raketë balistike e montuar mbi një mjet transportues ushtarak brenda një tuneli të fortifikuar nëntokësor. Nuk janë dhënë detaje për vendndodhjen apo kohën e regjistrimit, por publikimi i pamjeve po interpretohet si një sinjal force në kulmin e përshkallëzimit mes Iran dhe Izrael.
Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar nëse videoja lidhet me ndonjë operacion konkret ushtarak apo përbën një mesazh simbolik paralajmërues. Zhvillimi vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur pas sulmeve të raportuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj objektivave në Iran.
Ndërkohë, raportime të ndryshme flasin për gatishmëri të shtuar të forcave iraniane dhe aleatëve të tyre, ndërsa rajoni mbetet në pritje të zhvillimeve të mëtejshme.

