Tragjedi në Shkup: Ndërron jetë fëmija dyvjeçar i plagosur gjatë festimeve të Vitit të Ri
Fëmija dyvjeçar që u plagos rëndë gjatë natës së ndërrimit të viteve ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, si pasojë e lëndimeve serioze në tru të shkaktuara nga një trup metalik. Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëhet e ditur se rasti është raportuar më 1 janar 2026, në orën 00:58, kur fëmija nga Shkupi është dërguar në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në gjendje kritike, me një trup të huaj në kokë.
Policia ka zhvilluar bisedë zyrtare me nënën e fëmijës, G.D. (21), e cila ka deklaruar se më 31 dhjetor, pak para mesnatës, kishte dalë me fëmijën në oborrin e shtëpisë në lagjen Gazi Babë për të parë fishekzjarrët. Pas një zhurme të papritur, ajo ka vërejtur se fëmija po gjakoste nga koka.
Në polici është marrë deklaratë edhe nga babai i fëmijës, M.A. (26). Sipas njoftimit zyrtar, fëmija ka ndërruar jetë në orën 01:58 dhe vdekja është konstatuar nga mjeku kujdestar.
Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se për shkak të dëmtimit shumë të rëndë të indit trunor, nuk ka qenë e mundur ndërhyrja kirurgjike. Fëmija ishte pranuar fillimisht në Qendrën e Urgjencës dhe më pas ishte transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë, ku u trajtua në repartin e kujdesit intensiv me ventilim mekanik dhe terapi të plotë mjekësore, por pa sukses.
Hetimet për rastin vazhdojnë.

