Avioni Prishtinë–Stamboll del nga pista në Aeroportin Sabiha Gökçen, pasagjerët evakuohen të sigurt
Aeroplani që realizonte fluturimin Prishtinë–Stamboll ka dalë nga rruga e taksimit pas aterrimit në Aeroportin Sabiha Gökçen të Stambollit, njofton Ambasada e Kosovës në Ankara.
Sipas informacioneve zyrtare, të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt dhe nuk raportohet për persona të lënduar. Evakuimi është kryer përmes shkallëve të jashtme, pa pasur nevojë të aktivizohen rrëshqitëset emergjente.
Kompania AJet ka deklaruar se aterrimi ka qenë normal, por gjatë lëvizjes në rrugën e taksimit, aeroplani i tipit Boeing 737-800 ka dalë në një terren të butë për shkak të reshjeve të dendura të shiut.
Ambasada konfirmoi se udhëtarët janë larguar në mënyrë të rregullt nga aeroporti dhe kanë vazhduar drejt destinacioneve të tyre.

