Ziadin Sela: Bashkimi me Arben Taravarin është i pamundur, partia mund të ribashkohet vetëm pa të

Ziadin Sela ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e ribashkimit me Arben Taravarin, duke theksuar se as sot nuk e ka të qartë arsyen e ndarjes së tyre politike. Ai e cilësoi Taravarin si figurë jostabile dhe tha se nuk mund të llogarisë në të për stabilitet politik.

Sipas Selës, bashkimi i Aleancës për Shqiptarët është i mundur, por vetëm pa Taravarin.

“Nuk do të ketë bashkim me Taravarin, sepse akoma nuk e kam kuptuar pse ndodhi ndarja. Nuk e di për çfarë ribashkimi flisni. Mendoni se unë mund të shoh ëndrra me sy hapur dhe për stabilitet të llogaris te Taravari? Më jostabilitet se me të, nuk do mund të kisha kurrë. Mos shihni ëndrra me sy hapur. Unë të bashkohem me Taravarin është mision i pamundur. Unë të bashkoj partinë është e mundur, por jo me Taravarin”, u shpreh Sela.

Me këtë deklaratë, Sela bëri të qartë se çdo e ardhme e Aleancës për Shqiptarët, përfshirë riorganizimin dhe ribashkimin e strukturave, do të zhvillohet pa Arben Taravarin.