Aleanca për Shqiptarët zyrtarisht largohet nga koalicioni AKI, paralajmëron grup të pavarur parlamentar
Kryesia e Aleancës për Shqiptarët (ASH) ka mbajtur mbledhjen e radhës, pas së cilës njoftoi se partia tashmë zyrtarisht është shkëputur nga koalicioni AKI, me të cilin garoi në zgjedhjet e fundit lokale. Sipas komunikatës, ky vendim është marrë në mënyrë unanime nga kryesia.
ASH paralajmëroi se në ditët në vijim deputetët e saj do të formalizojnë në Kuvend formimin e një grupi të pavarur parlamentar, duke e pozicionuar partinë si subjekt tërësisht të pavarur në skenën politike.
Partia theksoi se do të mbetet “zëri i fuqishëm opozitar i shqiptarëve”, duke ruajtur koordinimin me forcat e tjera opozitare. Po ashtu, ASH paralajmëroi nisjen e një fushate të gjerë takimesh me anëtarët, qytetarët dhe aktorët politikë e shoqërorë, me qëllim forcimin e radhëve në këtë periudhë të ndjeshme politike.
Edhe pse koalicioni me të cilin ASH garoi doli fitues në nivel kombëtar sa i përket listave të këshilltarëve, partia shprehu zhgënjim të thellë për rezultatin në garën për kryetarë komunash. ASH akuzoi për “inzhiniering të fuqishëm shtetëror” dhe bashkëveprim mes partive shqiptare në pushtet dhe subjekteve maqedonase, përmes të cilit, sipas tyre, synohej realizimi i platformës së VMRO-DPMNE-së për “defaktorizimin e shqiptarëve”.
ASH nënvizon se kauza kombëtare, barazia e shqiptarëve në shtet dhe në Kushtetutë, si dhe adresimi i “dëmeve të shkaktuara nga Qeveria aktuale”, mbeten prioritetet kryesore të saj.
Ende mbetet e paqartë se cili do të jetë fati i koalicionit AKI pas largimit të njërit krah të Aleancës për Shqiptarët.

