Ziadin Sela: Mund të hyjmë në Qeveri vetëm nëse plotësohen tre kushte kryesore
Ziadin Sela ka deklaruar se Aleanca për Shqiptarët mund të shqyrtojë mundësinë për t’u bërë pjesë e Qeverisë, por vetëm nëse paraprakisht realizohen tre kushte themelore që ai i konsideron të domosdoshme për interesat e shqiptarëve dhe për proceset integruese të vendit.
Sipas Selës, kushti i parë është miratimi i ndryshimeve kushtetuese, që do të mundësonte zhbllokimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Kushti i dytë lidhet me zëvendësimin e termit “20%” me formulimin “gjuha shqipe” në Kushtetutë, duke kërkuar eliminimin e terminologjisë aktuale.
Ndërsa kushti i tretë është vendosja e parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që vendimet të respektojnë balancën ndëretnike edhe në këtë institucion.
“Fillimisht ndryshimet kushtetuese – zhbllokimi i BE-së, heqja e 20% – futjen e gjuhës shqipe në Kushtetutë dhe vendimet që sillen me parim Badenteri, të jetë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Këto do të ishin tre tema. Nëse do të realizoheshin fillimisht, atëherë do të mund të negociohet me Aleancën për Shqiptarët”, tha Sela, kur u pyet mbi mundësinë e hyrjes në Qeveri.
Sipas tij, vetëm pas plotësimit të këtyre tre kushteve, Aleanca për Shqiptarët mund të nisë negociatat për pjesëmarrje në ekzekutiv.

