Wesley Clark: Në vitin 1999 pati përpjekje për spastrim etnik të shqiptarëve në veri të Kosovës
Wesley Clark, ish-Komandant Suprem i Forcave të NATO-s për Evropën, në dëshminë e tij në Hagë ka deklaruar se pas përfundimit të luftës së vitit 1999 ka pasur përpjekje të organizuara për spastrim etnik të shqiptarëve në veri të Kosovës.
Clark tha se ishte detyruar të kërkonte dërgimin e forcave të NATO-s pa përfshirjen e trupave franceze në atë zonë, në mënyrë që shqiptarëve t’u mundësohej të jetonin në veri të lumit Ibër.
“Sipas raporteve tona, kishte spastrim etnik në veri të lumit Ibër, aq sa unë duhej të takoja Ministrin francez të Mbrojtjes dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për të paraqitur ankesën time. Ishte një përpjekje e organizuar serbe për të spastruar rajonin e Mitrovicës”, tha Clark.
Ai tregoi se ministri francez Alain Richard i kishte thënë se trupave franceze u ishte dhënë urdhër të “mbronin serbët në ato zona”. Clark theksoi se kjo e vështirësonte operimin, pasi secili shtet anëtar i NATO-s kishte diskrecion të caktuar edhe brenda komandës së aleancës.
“Duhej të bëja apel që të ndryshoheshin ato urdhra. Më vonë krijova një forcë të veçantë pa trupa franceze për të shkuar në veri të Ibrit në Mitrovicë, me synim që të ruhej mundësia që shqiptarët të jetonin atje”, deklaroi Clark.
Ai shtoi se nga raportet operative rezultonte se mjekë shqiptarë, stafe mjekësore dhe banorë të tjerë ishin dëbuar nga zona, dhe se këtë e kishin kryer paramilitarë dhe njësi speciale serbe.

