MPB: 150 qytetarë paralajmëruar në Shkup për kalim rruge me telefon – gjobat do të fillojnë së shpejti

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se nga 26 shtatori deri më 7 nëntor 2025, punonjësit e Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup kanë lëshuar 150 paralajmërime për qytetarët që kanë kaluar rrugën duke përdorur telefonin celular, përcjell TV21.

Nga MPB theksojnë se kjo fazë ka qenë informuese, me qëllim njohjen e qytetarëve me ndryshimet e reja në Ligjin për Sigurinë në Rrugë.

Pas përfundimit të fazës informuese, do të fillojë zbatimi i sanksioneve përkatëse ndaj shkelësve të ligjit.

Sipas ligjit të ri, kalimi i rrugës me telefon në dorë ose me pajisje elektronike në vesh konsiderohet kundërvajtje dhe ndëshkohet me gjobë prej 40 eurosh.

Ndërkohë, përdorimi i pajisjeve elektronike gjatë drejtimit të skuterëve, motoçikletave ose traktorëve do të ndëshkohet me gjobë prej 50 eurosh.

MPB u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e reja me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve.