Azir Aliu për rikonstruksionin e Qeverisë: Vendos kryeministri, unë vazhdoj me detyrat e mia si ministër

I pyetur nëse Ministria e Shëndetësisë do të jetë pjesë e rikonstruksionit të paralajmëruar të Qeverisë, ministri Azir Aliu në një intervistë për Radio Evropa e Lirë tha se për këtë çështje vendos kryeministri dhe vetë qeveria.

Aliu theksoi se ka dëshmuar se profili i tij, si ekspert ashtu edhe si njeri i përkushtuar, është të punojë maksimalisht aty ku ndodhet.

“Besoni se kjo pjesë, duke pasur parasysh se nuk varet nga unë, sepse ne kemi infrastrukturë, kemi qeveri politike, kemi kryeministër që vendos për rikonstruksionin e Qeverisë. Dhe kjo varet nga profili i çdo ministri. Vlerësoj se pas analizës së profileve dhe e proceseve që janë përfunduar dhe janë në proces, Qeveria dhe në këtë rast kryeministri do të duhet të vendosin për atë rikonstruksion, ndërsa unë si ministër vazhdoj me proceset dhe detyrat e mia deri sa të jem ministër në këtë institucion”, tha mes tjerash Aliu.

Ministri shtoi se do të vazhdojë punën në realizimin e reformave në sistemin shëndetësor, deri në momentin që të ketë vendim të ri nga Qeveria.