Katër persona mashtruan dhe rrahën një burrë në Shkup, i morën 200 mijë denarë – njëra nga të dyshuarat në arrati
Dy burra dhe dy gra kanë mashtruar, më pas kanë rrahur dhe grabitur një banor të Shkupit, duke i marrë 200.000 denarë (rreth 3.200 euro). Njëra nga të dyshuarat ndodhet ende në arrati, njoftoi Prokuroria Themelore Publike e Shkupit.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur më 30 tetor, kur viktima kishte shkuar me njërën nga të dyshuarat në një motel në Shkup. Ajo i kishte propozuar që të ftonin edhe një vajzë tjetër, me ç’rast viktima ishte pajtuar. Pas kësaj, e dyshuara e kishte thirrur gruan tjetër dhe të dyja e kishin bindur viktimën të shkonin në një hotel tjetër, “më të bukur dhe më të lirë”.
“Ndërsa po dilnin nga dhoma, në oborrin e errët të motelit i kishin pritur dy burra, të cilët ishin në marrëveshje me gratë dhe së bashku iu vërsulën viktimës. E goditën me grushta në kokë dhe trup derisa ai ra në tokë, ndërsa nga xhepat ia morën paratë, telefonin dhe kartën e identitetit,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria po zhvillon hetime për veprën penale “Grabitje” sipas nenit 237, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Prokurori publik ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës.
Për njërën nga gratë, e cila është ende në arrati pas kryerjes së veprës, masa e paraburgimit do të zbatohet sapo ajo të lokalizohet dhe arrestohet.


