Arsim Dalipi premton ulje 50% të taksave për taksitë dhe lirim total për automjetet elektrike në Strugë
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Strugës, Arsim Dalipi, sot bashkë me ekipin e tij ka zhvilluar takime me taksistët dhe drejtuesit e furgonëve që operojnë në qytet dhe në zonat përreth, ku prezantoi planin e tij për lehtësimin e barrës financiare të këtij sektori.
Dalipi njoftoi se, pas marrjes së detyrës si kryetar komune, Këshilli i Komunës së Strugës do të miratojë një vendim për uljen me 50% të tarifave për licencat e taksive dhe furgonëve, ndërsa për automjetet elektrike – si taksi dhe furgonë – do të ketë lirim të plotë nga pagesa e licencave (100%).
“Sot bashkë me ekipin e këshilltarëve vizituam vendet e parkimit të taksive dhe furgonëve që kryejnë transportin e udhëtarëve brenda dhe jashtë qytetit. I njoftova për vendimin që do ta zbatojmë menjëherë pas marrjes së mandatit: përgjysmimin e taksave të licencave dhe lirimin total për mjetet elektrike,” shkroi Dalipi në faqen e tij në Facebook.
Ai shtoi se kjo është një masë konkrete për të mbështetur drejtuesit e mjeteve që punojnë çdo ditë në shërbim të qytetarëve, si dhe për të nxitur përdorimin e automjeteve ekologjike në Strugë.
“Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëbisedimin e hapur që patëm sot me secilin prej jush. Së bashku do të ndërtojmë një Strugë më të drejtë dhe më moderne,” përfundoi Dalipi.


