Ziadin Sela nga Dollogozhda: “Shqiptarët nuk do të lejojnë askënd të ndërhyjë në punët e tyre të brendshme”

Në një tubim të mbajtur sonte në fshatin Dollogozhdë nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), lideri i partisë Ziadin Sela dërgoi një mesazh të fortë dhe të drejtpërdrejtë për kryeministrin Hristijan Mickovski, duke theksuar se shqiptarët nuk do të lejojnë ndërhyrje në punët e tyre të brendshme, raporton TS.

“Do të vazhdojmë t’ia themi siç ia kemi thënë edhe Gruevskit, dhe këtij tjetrit do t’ia themi po ashtu: gabim e ke këtu! Ne nuk lejojmë të vish e të na përziesh në shtëpitë tona, në tokat tona,” deklaroi Sela.

Ai theksoi se shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur përballë çdo përpjekjeje që cenon dinjitetin dhe të drejtat e tyre. “Ne nuk pranojmë që ti të shkelësh mbi të drejtat tona dhe ne të heshtim. Mund të heshtë Izeti e Bilalli, por jo ne që jemi reshtuar pas popullit,” shtoi ai.

Në fjalimin e tij, Sela nënvizoi se më 2 nëntor shqiptarët do të arrijnë një fitore edhe më të madhe dhe e mbylli tubimin me thirrje për mobilizim të plotë të elektoratit shqiptar në raundin e dytë, duke theksuar se “fitorja vjen vetëm përmes bashkimit dhe besimit në kauzën e përbashkët.”