Ramiz Merko dënohet me 1 vit burgim me kusht për emërim të paligjshëm të drejtorit në Strugë – Prokuroria paralajmëron ankesë

Gjykata Themelore në Strugë e dënoi Merkon me 1 vit burg me kusht për rastin e emërimit të paligjshëm të drejtoreshës së Shkollës Fillore në fshatin Veleshtë. I njëjti dënim u shqiptuar edhe për dy persona të tjerë të përfshirë në rast, përfshirë ish-drejtoreshën Egzona Shei, e akuzuar për përdorim të dokumenteve të rreme publike për të kaluar provimin profesional në Qendrën Shtetërore të Provimeve.

Sipas aktakuzës, Shei ka punuar si mësuese e gjuhës frënge pa përfunduar fakultetin, duke përdorur vetëm një certifikatë absolventi, ndërsa Merko e kishte emëruar në kundërshtim me ligjin.

“Për të akuzuarin Ramiz Merko ende nuk kemi një aktvendim të formës së prerë, por duke marrë parasysh se veprat janë kryer në të njëjtat rrethana, vendosa që të gjithë të dënohen me kusht – 1 vit burg, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda 2 viteve nuk kryejnë vepër tjetër penale,” deklaroi gjyqtari Jordan Jovanov.

Në një rast tjetër, për caktim të paligjshëm të drejtorit në Shkollën Fillore “Vëllezërit Milladinov” në Strugë, Merko mori dënim me gjobë prej 2.500 euro.

Megjithatë, Prokurori Publik Xhemal Loga nuk është i kënaqur me vendimin dhe ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Nuk kam pritur ndëshkim me para. Duke qenë se për rastin e parë u dënua me kusht, për këtë rast duhej të kishte dënim efektiv, sepse për të njëjtën vepër penale nuk mund të jepen masa të ndryshme,” deklaroi Loga.

Ky nuk është rasti i vetëm ndaj kryetarit të Strugës. Prokuroria tashmë ka ankimuar disa vendime të mëparshme, përfshirë rastin për blerjen e automjetit luksoz “Audi A6” në vlerë prej 67 mijë euro, ku Merko u lirua nga akuza, si dhe për emërimet e paligjshme të drejtorëve në shkollat e Podgorcës dhe Labunishtës, ku ai u gjobit me 10 mijë euro.

Aktualisht janë aktive edhe tre raste të tjera ndaj Merkos, përfshirë aktakuzën më të fundit për ndriçimin e lumit Drini i Zi, me gjykim të caktuar për 17 nëntor 2025.

📷 Burimi: Alsat.mk