Debat i ashpër në “Jeta në Kosovë”: Bajram Rexhepi akuzon Bilall Kasamin se “vendimet në Tetovë i merr shefi i tij, Adnan Azizi”

Në një debat të zhvilluar në emisionin “Jeta në Kosovë” me gazetaren Jeta Xharra, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Bajram Rexhepi, hodhi akuza të rënda ndaj kryetarit aktual të Tetovës dhe kandidatit për rizgjedhje nga Lëvizja BESA, Bilall Kasami.

Rexhepi deklaroi se Kasami nuk është ai që merr vendimet për komunën, duke pretenduar se “vendimet reale” i merr Adnan Azizi, të cilin e cilësoi si “shef të Kasamit”.

“Nuk vendos zoti Kasami, por vendos shefi i tij, Adnan Azizi, i cili po menaxhon të gjitha ndërtimet, bashkë me një klikë shumë të vogël njerëzish që shohin vetëm përfitimet personale, jashtë çdo norme ligjore të ndërtimit në Tetovë,” – tha Rexhepi, duke e akuzuar administratën aktuale për mungesë transparence dhe keqpërdorime në zhvillimin urban.

Ai shtoi se situata në Tetovë është përkeqësuar për shkak të “klientelizmit politik” dhe “mungesës së kontrollit institucional” në proceset e ndërtimit dhe menaxhimit të pronës publike.

Debati, që u transmetua në prag të zgjedhjeve lokale, u karakterizua nga përplasje të ashpra dhe akuza reciproke mes dy kandidatëve kryesorë për komunën e Tetovës, ndërsa publiku reagoi me interes të madh ndaj polemikave të hapura mes Rexhepit dhe Kasamit.

📺 Burimi: TS (TetovaSot.com)