Prof. Sefer Tahiri: Këto zgjedhje po duken më shumë si parlamentare sesa lokale

Në emisionin “Debat në Shenja”, profesori universitar Sefer Tahiri tha se dilema kryesore që po shtrohet është nëse vendi po shkon drejt zgjedhjeve lokale apo parlamentare, pasi fushata aktuale po zhvillohet në një nivel më të lartë politik sesa lokal.

“Mendoj se kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se fokusi i partive politike në këto zgjedhje nuk është drejtpërdrejt tek komunat, pra tek projektet lokale, tek ato që i presin qytetarët në kuptimin e realizimit të projekteve konkrete si ujësjellësi, kanalizimi, ndriçimi publik apo mbledhja e mbeturinave. Përkundrazi, debati është ngritur në një nivel më të lartë politik,” – theksoi Tahiri.

Sipas tij, fushata aktuale po ndikohet nga tensionet politike të mbetura nga zgjedhjet parlamentare, ku Fronti Evropian kishte kritikuar VLEN-in, ndërsa tani Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) po e përsërit të njëjtin narrativ, duke pretenduar se VLEN nuk ka legjitimitetin politik për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve në Qeveri.

“Për AKI-në ky është momenti për të dëshmuar këtë tezë – se VLEN-i nuk e ka legjitimitetin politik për të përfaqësuar shqiptarët,” – përfundoi Tahiri.