Kica-Xhelili: Vetëvendosje po bllokon Kuvendin për një post të parëndësishëm

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Doarsa Kica-Xhelili, kritikoi ashpër bllokadën që po pengon funksionimin e Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e pezulloi punën e tij deri në fund të shtatorit.
Vendimi i Kushtetueses erdhi pas shpalljes së Kuvendit si “jo të konstituuar” nga kryetari Dimal Basha, pavarësisht se ende nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Në një intervistë për emisionin Pressing, Kica-Xhelili e konsideroi situatën si të dëmshme dhe të pakuptimtë, duke theksuar se Kuvendi dhe shteti po mbahen peng për një pozitë që nuk ka ndikim real.
“Për çfarë? Për nënkryetarin e pestë të Kuvendit – një pozitë krejtësisht jorelevante, që Lista Serbe e ka mbajtur për katër vitet e kaluara. Sot, nëse pyesim këtë qeveri në detyrë se çfarë kanë arritur përmes këtij nënkryetari, nuk ka asgjë për të treguar. Por kur bëhet fjalë për të bllokuar funksionimin e tërë shtetit, aty flasin shumë – vetëm për një nënkryetar jorelevant” – tha Kica-Xhelili.

