Gjermania i bashkohet SHBA-së në kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës

Albin Kurti

Vetëm disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën të pezullojnë pa afat “Dialogun Strategjik” me Kosovën, edhe Gjermania ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të qeverisë së Albin Kurtit, e cila aktualisht funksionon me mandat të skaduar.

Michael Reiffenstuel, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, përmes një reagimi në platformën X, e ka cilësuar si shqetësues vendimin e autoriteteve të Kosovës për të mbyllur Fondin e Pensioneve dhe Sigurimit Shëndetësor në Mitrovicën e Veriut. Ai paralajmëroi se këto hapa rrezikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bien ndesh me zotimet që Kosova ka ndaj Bashkimit Evropian.

“U bëjmë thirrje urgjente autoriteteve në Kosovë të ndalojnë shënjestrimin e institucioneve shëndetësore të menaxhuara nga Serbia. Veprimet e tilla dëmtojnë vetë qytetarët e Kosovës dhe prishin marrëdhëniet tona bilaterale”, shkroi ai.

Ky paralajmërim vjen në vazhdën e vendimit të SHBA-së, e cila javën e kaluar njoftoi pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën për një kohë të pacaktuar. Ambasada amerikane në Prishtinë theksoi se veprimet e fundit të qeverisë kanë ngritur tensione dhe e kanë bërë më të vështirë bashkëpunimin për prioritetet e përbashkëta.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi ndaj mbylljes së zyrave të fondeve serbe në veri, duke e cilësuar si një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar nga ana e qeverisë së Kosovës. Sipas BE-së, këto çështje duhet të trajtohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.