Aksion i përbashkët në Manastir, arrestohet një 42-vjeçar për zhvatje

Policia dhe Prokuroria Themelore Publike e Manastirit kanë zhvilluar një aksion të koordinuar më 14 shtator 2025, ku është arrestuar një person i dyshuar për zhvatje.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:25, në një kompleks tregtar në rrugën “Kliment Ohridski”. Personi i privuar nga liria është D.G., 42 vjeç, banues në Manastir. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se gjatë viteve 2024 dhe 2025 në disa raste ka ushtruar presion dhe ka kërkuar para me kërcënime nga një qytetar i Manastirit.

Në momentin kur ka marrë paratë nga viktima, i dyshuari është kapur në flagrancë dhe është shoqëruar menjëherë në stacionin policor. Pas përfundimit të procedurave dhe mbledhjes së provave, Prokuroria do të ngritë kallëzim penal ndaj tij për veprën “zhvatje”, e parashikuar në nenin 258 të Kodit Penal.