🚨 Aksident i rëndë në malet e Vrapçishtit, shpëtohet një person me helikopter

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në malet mbi fshatin Jalloci i Epërm, komuna e Vrapçishtit, ku pas rrotullimit të një automjeti terreni një person ka rënë në humnerë.

Ngjarja është raportuar në ora 17:24 përmes numrit të emergjencës 112, ndërsa menjëherë janë njoftuar Stacioni Policor Gostivar dhe Stacioni Policor Galate.

Për shkak të terrenit të vështirë, ekipi i Ndihmës së Shpejtë nuk ka mundur të ndërhyjë, ndaj me kërkesë të drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), z. Muhamed Ali, është angazhuar helikopteri i MPB-së dhe njësitë speciale alpinike.

Pas një operacioni të ndërlikuar shpëtimi, personi i lënduar u nxor nga humnera dhe u transportua në Qendrën Klinike të Shkupit për trajtim mjekësor.

Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti po hetohet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.