Zijadin Sela: “E shenjtë është vota jonë dhe legjitimiteti i shqiptarëve”
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Zijadin Sela, gjatë konventës promovuese të AKI-së, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm, ku theksoi se fitorja në zgjedhjet e 19 tetorit do të dërgojë një mesazh të qartë kundër nëpërkëmbjes së shqiptarëve.
“E të shenjta janë malet tona, fushat dhe lagjet tona. Por më të shenjta se gjithçka tjetër janë vogëlushët tanë, ata që kanë lindur dhe ata që do të lindin. Prandaj, e shenjtë është vota jonë, i shenjtë është legjitimiteti i shqiptarëve, sepse ka të bëjë me ardhmërinë e fëmijëve tanë”, u shpreh Sela.
Ai theksoi se zgjedhjet e ardhshme janë vendimtare për të mbrojtur dinjitetin dhe për t’i dhënë fund, siç tha, “nëpërkëmbjes dhe poshtërimit politik”.
“Më 19 tetor është në dorën tuaj që t’i japim fund tentativave të VMRO-së dhe Hristijan Mickoskit për të na zhbërë si popull dhe për të na shndërruar në qytetarë apolitik”, deklaroi kreu i ASH-së.
Duke folur për të drejtat e shqiptarëve, Sela theksoi se ato janë fituar me gjak dhe sakrificë dhe nuk janë dhuratë nga askush:
“Kur gjërat nuk dhurohen, por fitohen, askush nuk mund t’i marrë. Të bashkuar më 19 tetor, do ta japim mesazhin e fitores dhe të ardhmërisë së shqiptarëve”.


