Zhan Mitrevi konfirmon interesimin e Zaevit dhe Filipçes për “Zhan Mitrev”, Filipçe reagon me akuza për fushatë të zezë

Pronari i klinikës private “Zhan Mitrev”, mbrëmë në emisionin “Show i mbrëmjes” në TV Alfa, deklaroi se ka pasur interesim dhe përpjekje konkrete nga ish-kryeministri Zoran Zaev dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, për të marrë pronësinë e spitalit.

“Po, ka pasur kontakte reale. Edhe me shkrim, jo vetëm verbalisht”, tha Zhan Mitrevi, duke konfirmuar pretendimet për komunikime direkte lidhur me marrjen e pronësisë së klinikës.

Pas këtyre deklaratave, kryetari aktual i LSDM-së, Venko Filipçe, mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku reagoi ashpër, duke i cilësuar pretendimet si pjesë e një “fushate të vazhdueshme të zezë dhe linçim publik” kundër tij.

Filipçe i hodhi poshtë kategorikisht akuzat, duke thënë se përmes deklaratave të Zhan Mitrevit atij po i atribuohet shantazh dhe tentativë për marrjen e gjithë spitalit. Ai theksoi se sulme të tilla kanë kaluar çdo kufi dhe paralajmëroi nisjen e procedurave gjyqësore kundër të gjithë të përfshirëve, si porositësve ashtu edhe ekzekutuesve.

Njëkohësisht, Filipçe e ftoi publikisht Zhan Mitrevin që, nëse ka njohuri për ndonjë vepër penale, të paraqesë kallëzim penal në prokurori.

“Nëse guxon, le të veprojë institucionalisht. Nëse ka diçka, le të provohet para prokurorit dhe gjykatës, e jo përmes paraqitjeve mediatike. Sepse e dinë se do të mbajnë përgjegjësi”, deklaroi Filipçe, duke akuzuar pushtetin se pikërisht raste të tilla janë arsyeja pse, sipas tij, nuk po zbatohen reformat thelbësore në drejtësi.