VLEN propozon Muhamed Hoxhën si Ministër të Ekologjisë, diskutimet vazhdojnë me kryeministrin Mickoski
Në takimin e sotëm në mbrëmje mes krerëve të koalicionit shqiptar VLEN dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, pritet të shqyrtohen propozimet për zëvendësime të disa ministrive.
Sipas informacioneve jozyrtare të TV21, Muhamed Hoxha është propozuar nga VLEN për të marrë postin e Ministrit të Ekologjisë, në vend të Izet Mexhitit, i cili u zgjodh kryetar i Komunës së Çairit. Hoxha ka shërbyer më parë si zëdhënës i qeverisë gjatë mandatit të BDI-së në koalicion me LSDM-në.
Propozimi pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit, ndërsa vendimi për pranimin e tij nga kryeministri Mickoski mund të bëhet i ditur pas takimit ose gjatë ditës së nesërme.
Jozyrtarisht, rikonstruktimi i mundshëm mund të përfshijë edhe zëvendësit, ku në MPB, në vend të Astrit Isenit, pritet të propozohet Bekim Ramadani.
Deputetja Saranda Imeri nga VLEN, në emisionin HAJDE FLASIM, theksoi se analizat për emrat e rinj të ministrave bazohen në performancat e deritanishme të ministrave.

