VLEN finalizon emrat në Qeveri: Hoxha, Sali dhe Fetai, ja resorët që do të udhëheqin?
Koalicioni VLEN ka arritur një marrëveshje të brendshme për riformatim të pjesshëm të përfaqësimit në Qeveri, e cila është drejt finalizimit dhe pritet të miratohet nga organet partiake të secilës parti brenda disa ditësh, raportoi INA.
Sipas marrëveshjes, në postin e ministrit të Mjedisit Jetësor do të emërohet Muhamet Hoxha, i cili do të zëvendësojë Izet Mexhitin. Hoxha është kuadër me përvojë në ekzekutiv dhe ka ushtruar më herët funksionin e zëdhënësit të Qeverisë.
Deputeti Bekim Sali pritet të marrë pozitën e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, duke zëvendësuar Arben Fetain. Njëkohësisht, Sali do të ushtrojë edhe funksionin e zëvendëskryeministrit të parë.
Arben Fetai, ndërkohë, do të emërohet ministër për Integrime Evropiane. Ai njihet për përvojën e tij profesionale në diplomaci dhe në proceset integruese, duke qenë më herët i angazhuar në institucione të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ministri aktual i Integrimeve Evropiane, Orhan Murtezani, sipas burimeve, pritet të transferohet ose në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes, ose në postin e drejtorit të Postës së Maqedonisë, ose në ndonjë drejtori tjetër me peshë.
VLEN pritet t’i dorëzojë zyrtarisht propozimet në Qeveri gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa procedurat formale do të vijojnë në Kuvend. Ky riorganizim vjen pas zgjedhjes së Izet Mexhitit si kryetar i Komunës së Çairit. Ndërkohë, pas muajit janar priten ndryshime më të gjera brenda ekzekutivit.

