VLEN drejt shndërrimit në parti të vetme: zbulohet draft-plani për “Unionin Demokratik Shqiptar VLEN”

TV21 ka siguruar draft-planin sipas të cilit Koalicioni VLEN pritet të transformohet në një parti të vetme politike me emrin Unioni Demokratik Shqiptar VLEN, e cila do të regjistrohet zyrtarisht në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas dokumentit, emri tashmë ekziston si opsion juridik dhe janë paraparë dy mundësi: ose themelimi i një partie të re me këtë emër, ose ndryshimi i emrit të njërës prej partive aktuale në VLEN.

Në aspektin politik, partia e re do të pozicionohet në qendrën e djathtë, ndërsa ideologjia do të mbështetet në parime konservatore, me theks të veçantë në kombin, familjen tradicionale dhe trashëgiminë kulturore. Strategjikisht, VLEN përcaktohet si forcë pro-perëndimore, me orientim drejt bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si dhe mbështetje për boshtin Ankara–Sofje–Shkup–Tiranë.

Drafti parasheh edhe një strukturë të detajuar organizative. Organi më i lartë do të jetë Kongresi me 500 anëtarë, ku katër partitë themeluese do të kenë nga 150 delegatë secila, ndërsa VV dhe Arbëria nga 50 delegatë. Kongresi do të ketë kompetencë për zgjedhjen e Presidencës dhe Këshillit të Përgjithshëm.

Këshilli i Përgjithshëm do të përbëhet nga 130 anëtarë, me përfaqësim proporcional të subjekteve përbërëse, dhe do të vendosë për çështje strategjike, përfshirë zgjedhjen e Kryesisë Qendrore dhe miratimin e listave për deputetë. Kryesia Qendrore do të ketë 33 anëtarë, ndërsa deputetët, ministrat, zëvendësministrat dhe kryetarët e komunave do të jenë pjesë e saj automatikisht, por pa të drejtë vote.