Trump paralajmëron ofensivë ndaj Iranit, Teherani kërcënon me kundërpërgjigje të ashpër
Presidenti amerikan Donald Trump, përmes një postimi në platformën X, deklaroi se “ora e lirisë së popullit iranian është afër”, duke paralajmëruar një ofensivë të fuqishme ushtarake kundër Iran. Ai u bëri thirrje qytetarëve iranianë të qëndrojnë të strehuar, duke paralajmëruar rrezik të lartë nga sulmet ajrore.
Trump theksoi se pas ndërhyrjes, sipas tij, populli iranian do të ketë mundësinë të marrë në dorë qeverisjen e vendit, duke e cilësuar situatën si një moment historik.
Nga ana tjetër, ushtria iraniane reagoi ashpër, duke paralajmëruar një “mësim historik” për Izrael dhe Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi i Forcave të Armatosura, gjenerali Abolfazl Shekarchi, deklaroi se çdo bazë në rajon që mbështet Izraelin do të konsiderohet objektiv legjitim.
Sipas raportimeve mediatike, sulmet e së shtunës kishin në shënjestër figura të larta shtetërore, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei, shefin e Shtabit Sayyid Abdolrahim Mousavi dhe presidentin Masoud Pezeshkian. Burime izraelite kanë bërë të ditur se goditjet e para janë raportuar pranë rezidencës së liderit suprem në mëngjesin e 28 shkurtit.
Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, ndërsa zhvillimet në terren po ndiqen me shqetësim të madh ndërkombëtar.

