Trump: Ngushtica e Hormuzit mund të rihapet shpejt, përmend kontroll të përbashkët me Iranin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit mund të rihapet në një afat të shkurtër, duke lënë të hapur edhe mundësinë e një kontrolli të përbashkët me Iranin.
Gjatë një prononcimi për gazetarët para nisjes nga Florida drejt Memfis, Trump tha se situata në këtë rrugë kyçe detare “mund të zgjidhet shumë shpejt”, nëse negociatat aktuale japin rezultat.
Ai sugjeroi se kontrolli i ngushticës mund të jetë i përbashkët, duke përmendur në mënyrë të paqartë edhe përfshirjen e udhëheqjes iraniane. Sipas tij, në Iran po ndodhin zhvillime të mëdha politike dhe nuk përjashtohet një ndryshim i thellë i regjimit.
Trump theksoi se SHBA-ja është në kontakte me persona që i cilësoi si “të arsyeshëm” dhe “të respektuar”, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një marrëveshje të afërt për stabilizimin e situatës.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike në botë për transportin e naftës, dhe çdo zhvillim rreth saj ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë.

