Tragjedi në Itali: Dyshohet se shqiptarja u vra nga bashkëshorti i saj, i cili është në arrati

Saxhide Muslija, 50 vjeçe, është gjetur e pajetë në banesën e saj në Pianello Vallesina, në komunën Monte Roberto të Ankonës. Hetimet paraprake të autoriteteve italiane dyshojnë se ajo është dhunuar për vdekje nga bashkëshorti i saj, Nazif Muslija, po ashtu 50 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në arrati dhe po kërkohet intensivisht nga policia, raporton Pa Censurê.

Sipas mediave italiane, bashkëshorti nuk ishte paraqitur në punë atë mëngjes, gjë që shqetësoi punëdhënësin i cili shkoi në banesë. Atje hasi karabinierët, të cilët tashmë kishin gjetur trupin e pajetë të Saxhides.

Çifti kishte kaluar më herët një periudhë ndarjeje, por ishte rikthyer të jetonte bashkë. Megjithatë, dhuna brenda familjes kishte vazhduar. Gjatë këtij viti, Saxhide Muslija kishte paraqitur disa denoncime për dhunë dhe keqtrajtim. Nazif Muslija ishte i dënuar më parë për dhunë në familje dhe në prill të vitit të kaluar ishte arrestuar pasi e kishte sulmuar brutalisht bashkëshorten, duke thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë. Ajo kishte shpëtuar vetëm falë fqinjëve.

Nazif Muslija është tashmë i dyshuari kryesor për këtë femicid dhe është shpallur në kërkim. Policia italiane ka nisur një operacion të gjerë për gjetjen dhe arrestimin e tij.