Shkollat e Strugës pa naftë e dru, mësimi në klasa të ftohta, orët shkurtohen
Shkollat fillore në Komunën e Strugës po përballen me mungesë të plotë të lëndëve djegëse për ngrohje. Për shkak të gjendjes së rënduar financiare dhe llogarive të zbrazëta bankare, asnjëra prej tyre nuk ka mundur të shpallë tender për furnizim me naftë apo dru.
Në ditët e para të tetorit, nxënësit në shumicën e shkollave po ndjekin mësimin në klasa të ftohta, ndërsa që nga sot, në disa institucione arsimore orët e mësimit janë shkurtuar për pesë minuta.
“Problemi qëndron në faktin se asnjë shkollë në nivel të Komunës së Strugës nuk ka asnjë denar në llogaritë e veta bankare për zërat që kanë të bëjnë me nevojat komunale të shkollave. Gjatë përgatitjeve për vitin e ri shkollor, për shpalljen e tenderëve për naftë, energji elektrike dhe dru, nuk kemi fonde të siguruara dhe nuk mund të shpallim tender pa mjete në llogari,” deklaroi Mustafa Kaliqi, drejtor i SHF “Bashkimi” në fshatin Oktis.
Sipas të dhënave, shkollat e Strugës kanë borxhe të mëdha për naftë, energji elektrike dhe transport të nxënësve. Një pjesë e transportuesve kanë ndërprerë shërbimin që nga fillimi i vitit shkollor. Vetëm për furnizimin me naftë, borxhi i përgjithshëm i shkollave për vitin e kaluar arsimor arrin në 10 deri në 12 milionë denarë, ndërsa kompania furnizuese ka ngritur padi ndaj Komunës së Strugës.
Nga Sektori i Arsimit në Komunë kanë bërë të ditur për Alsat se ndërkohë janë siguruar 7 milionë denarë për furnizimin me naftë dhe dru – 3 milionë nga grantet e mbetura të Ministrisë së Arsimit dhe 4 milionë nga buxheti komunal. Për këtë qëllim është shpallur edhe tender, dhe autoritetet lokale shpresojnë që me këtë shumë të mbulojnë nevojat deri në muajin shkurt.
Kujtojmë se në gusht Komuna kishte paralajmëruar transferimin e kompetencave për arsimin fillor tek Ministria e Arsimit për shkak të mungesës së mjeteve financiare, pasi deri në fund të vitit i kishin mbetur vetëm 985.304 denarë për shpenzime materiale. Por Ministria kishte theksuar se një vendim i tillë nuk mund të merret në mënyrë të njëanshme nga Komuna.


