Selimi: Grubi bëri mirë që u kthye, por drejtësia në vend ka qenë selektive

Artan Grubi bëri mirë që u kthye për t’u përballur me drejtësinë dhe dua të besoj që procesi do të jetë i drejtë dhe i pandikuar. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta nëse është fajtor!

Tash:

  • Nikolla Gruevski i bën 8 vite azil politik dhe lëndët njëra pas tjetrës i vjetërohen. Qeveria nuk ka bërë, dhe siç duket nuk e ka ndërmend të bëjë kërkesë për ekstradim nga Hungaria, partneri strategjik i po kësaj qeverie.
  • Sasho Mijallkovi vazhdon punën si biznesmen i suksesshëm (me Ferrari në Monte Karlo).
  • Orce Kamçevi po ashtu, madje vazhdon ta financojë partinë më të madhe në pushtet.
  • Koço Angjushevi shkruan libra se si duhet të arrish sukses, donon për universitete dhe fotografohet me presidenten, ndërkaq bizneset i vazhdojnë.
  • Thuajse të gjithë të dënuarit e 27 prillit, me pretekste të ndryshme janë në liri.
  • Nga Vasko Kovaçevski i ESM-së nuk ka as nam e as nishan.
  • Vëllezërit Zaev gjatë gjithë kohës akuzohen nga VMRO-DPMNE, ndërkaq atyre as “therra në këmbë” nuk u hyn.
  • Opozitarja LSDM çdo ditë denoncon tenderime milionëshe dhe akuzon për korrupsion galopant që lidhen me firma të afërta me funksionar të lartë qeveritar në pushtet qëndror dhe lokal, ndërkaq nuk reportohet se ka filluar ndonjë proces serioz hetimi për të njejtat.

Lista është e gjatë, aq sa është drejtësia selektive dhe e ndikuar nga qendra të ndryshme politike.

Uroj që ky proces të mos jetë i atillë, por i drejtë dhe i pandikuar!