Samiti i Diasporës, Ahmeti: Shqiptarët i fituan të gjitha luftërat, rrugëtojmë bashkë drejt BE-së
Në Tiranë po mbahet edicioni i tretë i Samitit të Diasporës, ku pjesëmarrës është dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Ahmeti në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se është kënaqësi të shoh imazhi i një diaspore të bashkuar, teksa bashkarisht numërojnë sukseset e arritura ndër vite në trojet shqiptare.
Ahmeti shtoi se shqiptarët i fituan të gjitha luftërat dhe se tani është koha për progres dhe ardhmëri më të mirë.
“Unë kam qenë mërgimtarë dhe gjithmonë na kanë shërbyer dy porosi të rilindasve shqiptarë, e Jeronim De Radës “Gjaku i arbërit po rrjedh” dhe po shihet se porosia e tij është gjallë sepse sot këtu në këtë sallë janë arbëreshë e mërgimtarë, gjithë shqiptarët bashkë. Porosia e dytë është e Asdrenit që i ligjëroi me aq përkushtim Kosovës, një vendi që na i dha bukën dhe armët, kaluam mbi Kosovën nënë që sot e kemi shtet të pavarur, shqiptarët në RMV janë shtetformues, poashtu dhe në Malin e Zi e kemi shqiptarin Dritan Abazoviçin, prandaj rol në gjithë këto procese ka pasur mërgata jonë shqiptare. Luftërat i fituam edhe ushtarakisht edhe diplomatikisht, mirëpo sot e kemi një luftë që ta begatojmë atdheun tonë, të mirëorganizohemi për më shumë mençuri e dituri që të kemi të rinj e të reja që kontribuojnë në vendin e tyre. Siç jemi së bashku në NATO do të jemi dhe në BE, sepse pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor nuk ka paqe e siguri. I dashur Edi, ne jemi një hap më pranë BE-së ndaj duhet ta dish që gjithmonë na ke krah teje”, deklaroi Ahmeti.

