Rubin: Haradinaj kishte komunikim me CIA – Haradinaj: E bëra për vendin tim
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, dëshmoi sot në Gjykatën Speciale në Hagë në procesin ndaj Hashim Thaçit dhe ish-drejtuesve të UÇK-së. Rubin deklaroi se që nga viti 1999 kishte kuptuar për komunikimin e Ramush Haradinajt me CIA-n, një bashkëpunim që sipas tij kishte ekzistuar për vite me radhë.

I pyetur për këtë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se gjithmonë ka bashkëpunuar me institucionet amerikane në shërbim të vendit.
“Jam i gëzuar për komunikimin me institucionet amerikane, veçanërisht ato të sigurisë. E kam bërë çdo herë në shërbim të Kosovës,” theksoi ai.
Haradinaj shtoi se dëshmia e Rubin ka rëndësi pozitive për procesin në Hagë, pasi ndihmon të sqarohet konteksti i luftës dhe profili i ish-krerëve të UÇK-së.

