Qeveria paralajmëron masa për çmimet e karburanteve, mbledhje urgjente nesër

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se po e ndjek në mënyrë të vazhdueshme lëvizjen e çmimeve në bursat botërore të naftës dhe ka paralajmëruar mbledhje urgjente nesër në orën 12:00, ku pritet të miratohen masa për zbutjen e rritjes së çmimeve të derivateve.

Sipas burimeve qeveritare, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare pritet të reflektohet edhe në tregun vendor, me mundësi për shtrenjtim të mëtejshëm të benzinës dhe dizelit në ditët në vijim.

Aktualisht, në pompat e kompanive OKTA, Makpetrol, Lukoil dhe Pucko Petrol, derivate po shiten rreth dy denarë më lirë nga çmimi maksimal i përcaktuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Ulja e përkohshme e çmimeve erdhi pasi OKTA ofroi derivate me çmime më të favorshme për distributorët, duke reflektuar menjëherë në tregun me pakicë. Megjithatë, për shkak të trendit rritës global, autoritetet paralajmërojnë ndërhyrje për të amortizuar ndikimin tek qytetarët.