Psikologia në Strugë humbet foshnjën pas largimit nga puna; Komisioni konstaton diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj saj

Një psikologe në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës, me gradë master në edukim special, është larguar nga puna menjëherë pasi ka njoftuar se ishte shtatzënë. Sipas portalit Sdk.mk, stresi i shkaktuar nga moszgjatja e kontratës ka çuar në pasoja tragjike dhe në javën e 27-të të shtatzënisë ajo ka humbur foshnjën.

Informacionet e publikuara tregojnë se në vend të saj janë punësuar persona të rinj, përfshirë edhe një psikolog të ri, gjë që Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi e ka vlerësuar si diskriminim të drejtpërdrejtë interseksional.

Në ankesën e saj, gruaja ka deklaruar se shtatzënia ka qenë plotësisht e rregullt dhe pa asnjë komplikacion, ndërsa stresi i shkaktuar nga humbja e vendit të punës ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin tragjik.

Komisioni, sipas Sdk.mk, thekson se gratë shtatzëna gëzojnë mbrojtje të posaçme ligjore dhe se ky rast përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të tyre, si dhe të Kushtetutës që garanton barazi për të gjithë qytetarët.