Protesta e 13 dhjetorit në Shkup: Debat politik dhe qëndrime të ndara mes partive shqiptare e maqedonase
Të shtunën, në Shkup do të zhvillohet një protestë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Lajmin e konfirmuan organizatat e veteranëve të UÇK-së, ndërsa mbështetja u ripërtërit edhe nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
OVL-UÇK, në një konferencë për media, u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, duke theksuar: “Të dashur shqiptarë, shihemi në Shkup.” Ahmeti po ashtu publikoi një reagim, ku tha se Sheshi “Skënderbe” do të shndërrohet në një zë të fuqishëm të qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët.
Ndërkohë, protesta nuk po merr mbështetjen e partisë tjetër shqiptare, VLEN, e cila doli në përputhje me deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski. Kryeministri e cilësoi protestën si një lëvizje të gabuar dhe instrument politik të BDI-së për mobilizim të brendshëm para Kongresit të partisë. Ai shtoi se ky veprim mund ta bëjë BDI-në të papranueshme për partnerë të mundshëm koalicioni.
VLEN deklaroi se respekton çdo protestë qytetare, por kundërshton, siç e quajti, “përdorimin e emrit të UÇK-së për të mbuluar dështimet dhe krizat e BDI-së”.
Në anën tjetër, OVL-UÇK reagoi ndaj deklaratave të Mickoskit, duke i cilësuar ato përçarëse. Përfaqësuesi Gazmend Syla theksoi se Maqedonia e Veriut, si vend aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të garantojë të drejtën për protestë dhe të mos krijojë pengesa. Ai nënvizoi se protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg, pa ndërhyrë në politikat e brendshme të ndonjë shteti.
Ndërkohë mbetet të shihet se cilat parti politike në Kosovë do ta mbështesin protestën dhe kush do të jetë folësi kryesor më 13 dhjetor në Shkup.

