Prokuroria ngrit padi ndaj dy personave për kërcënim ndaj mjekut Zekirija Shaini
Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka dorëzuar padi penale ndaj dy personave, të cilët po hetohen për përfshirje të mundshme në incidentin e gjuajtjes me armë në Kumanovë, ku mbeti i plagosur mjeku Zekirija Shaini, raporton TV21.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, në mesin e të paditurve është edhe bashkëshortja e Shainit, ndërsa paditë lidhen me mesazhe kërcënuese që mjeku i plagosur kishte marrë më herët.
“Në lidhje me këtë ngjarje, sot është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës një padi penale për kërcënim të sigurisë kundër një personi, si dhe për nxitje në kryerjen e kësaj vepre kundër ish-bashkëshortes së të dëmtuarit. Padia lidhet me mesazhet kërcënuese dhe kërcënimet e mëparshme që janë dërguar. Ndërkohë, indiciet për përfshirje të mundshme të këtyre të dyshuarve, si dhe të personave të tjerë në incidentin me të shtënat, vazhdojnë të verifikohen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit ende janë në zhvillim.


