Pas 12 vitesh ndryshim në Kërçovë: Fatmir Dehari ia dorëzon detyrën Aleksandër Jovanovskit

Pas 12 vitesh në krye të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari dorëzoi detyrën te pasardhësi i tij, Aleksandër Jovanovski. Në një ceremoni solemne, Komisioni Komunal Zgjedhor shpërndau çertifikatat për këshilltarët komunalë dhe për kryetarin e ri të komunës.

Në fjalën e tij pas marrjes së mandatit, kryetari i ri, Aleksandër Jovanovski, u zotua se do të punojë me përkushtim për të mirën e qytetit dhe të qytetarëve, pa dallime etnike.

“Nga kjo foltore ju premtoj punë të sinqertë, të vlefshme dhe me përkushtim për realizimin e projekteve të premtuara. Do të angazhohem për bashkëpunim me të gjithë të punësuarit në komunë dhe për përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve, veçanërisht në fushën e higjienës dhe projekteve zhvillimore”, tha Jovanovski.

Pas ceremonisë, në një takim simbolik në zyrën e komunës, Dehari ia dorëzoi detyrën pasardhësit të tij, duke e informuar për projektet e nisura dhe marrëveshjet në zbatim, të cilat, sipas tij, kapin vlerën e rreth 7 milionë eurove në investime kapitale.

Në fjalimin e tij të lamtumirës, Dehari falënderoi bashkëpunëtorët, mërgimtarët dhe të gjithë qytetarët për mbështetjen gjatë 12 viteve të qeverisjes.

“Zgjedhjet përfunduan, dhe uroj qetësi e kthjelltësi për qytetarët tanë. Nuk drejtoj gishtin e fajësisë ndaj askujt, sepse gjykatësi më i mirë për secilin është ndërgjegjja. Nëse kam gabuar, kërkoj falje nga çdo qytetar që mund të jetë ndier i prekur,” u shpreh ai.

Këshilli i ri Komunal i Kërçovës përbëhet nga 19 anëtarë: 8 nga VMRO-DPMNE, 5 nga Aleanca për Integrim Kombëtar (AKI), 3 nga Koalicioni VLEN, 2 nga kandidati i pavarur dhe 1 nga LSDM.