Ministri Filkov i revoltuar me Grubin: Si mundet të mos i garantohet siguria në burg?

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, e ka cilësuar si skandal arsyetimin e gjykatës lidhur me masën e paraburgimit për Artan Grubin, duke reaguar ashpër ndaj vlerësimeve se burgu i Shutkës nuk ofron kushte të sigurta.

Në një konferencë për media, Filkov deklaroi se informacionet e MPB-së dhe ASK-së për mungesë sigurie janë të papranueshme dhe ngrenë shqetësime serioze. Ai bëri të ditur se ka kërkuar shpjegime nga drejtori i burgut “Shkup” dhe nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve, duke theksuar se ishte informuar se ishin siguruar të gjitha kushtet për zbatimin e masës së paraburgimit.

“Është e patolerueshme të pretendohet se nuk mund të garantohet siguria e një personi në paraburgim dhe kjo të përdoret si argument për një masë më të lehtë”, u shpreh ministri.

Sipas tij, kjo situatë hap dyshime për trajtim selektiv, duke shtuar se paraburgimi nuk mund të zbatohet automatikisht për qytetarët e zakonshëm, ndërsa për ish-funksionarët të bëhen përjashtime.