Ministrat ndërrohen, problemi me parkingun në Qendrën Klinike mbetet i njëjti

“Ndodhem në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup. Pacientët dhe familjarët e tyre ankohen vazhdimisht se nuk mund të gjejnë vend për parkimin e makinës, për shkak të tollovisë që krijohet në mungesë të vendeve për parkim. Prapa meje është një makinë, një familjar po qëndron në makinë dhe nuk ka mund ta shoqërojë prindin e tij në spital gjatë kontrollit, për shkak se nuk ka mund të gjej një vend për parkim”, raporton gazetarja Almedina Ismajli, TV21.

-Vështirë është, ja në mes këtu po pres.
-A nuk munde të gjesh parking?
-Jo, nuk ka. Gjysmë ore sillu, sillu, nuk ka parking.
-Po e pret familjarin?
-Po. Ja po e shihni vetë, jam duke prit…

Qytetarët thonë se duhet të jesh me fat të gjesh vend për të parkuar makinën, përndryshe humb terminin për kontroll.

-Është vështirë, unë disa herë vijë me babanë tim mirëpo… nëse vjen herët në mëngjes do të gjesh mirëpo pas orës 8 e gjysmë shumë vështirë.
-A mund të ndodh të humbni termin duke kërkuar parking dhe sa kohë ju duhet që të parkoheni?
-Ka mundësi edhe për këtë, duhet të kesh me vete një person tjetër që ai të shkojë me personin e sëmurë dhe ti të kërkosh parking, duhet të kombinohesh. Sot erdha pak më herët, terminin e kisha në 9:30 por erdha nga ora 8:15, pra nga i gjithë parkingu këtu, vetëm vendi ku e lash veturën ishte i zbrazët. Kisha fat.

-U mbyta t’u ec, e nuk ka.
-A ndodh me humb termin?
-Po ja nëna e ka humb terminin.

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti thotë se procesi për ndërtimin e vendeve të reja për parkim është kah fundi. E kjo po zgjatet për shkak të procedurave burokratike, siç është shpronësimi i tokave ku duhet të ndërtohen të njëjtit.

-Deri ku është procedura?
-Procedura, e dini si janë procedurat, kjo mua më së shumti më pengon dhe nuk mund të përzihem, nuk jam jurist, nuk i kuptoj por më thonë të gjithë me këshillojnë si ministër se këto duhet respektuar. Nuk kam mundësi që t’i tejkaloj sepse janë ligje, mirëpo procedurat janë duke vijuar dhe për shkurt kohë do ta shpallim publikisht, në mënyrë transparente, si zakonisht nga kabineti im dhe do të dihet saktë se kur do të nis të ndërtohen, tha Fatmir Mexhiti”, ministër i Shëndetësisë.

Kujtojmë se Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në paraqitjen e tij të parë para mediave, para katër muajve, tha se prioritet për të është rregullimi i çështjes së parkingut në Qendrën Klinike të Shkupit. /tv21.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *