Kostadinovski kritikon “status quon” në drejtësi: Kuvendi po shpërfill vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka komentuar raportin e fundit të Komisionit Evropian, duke shprehur shqetësim për mungesën e progresit në sistemin juridik dhe gjendjen e zgjatur të “status quos”. Ai kritikoi Kuvendin për mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëroi se, nëse institucionet nuk ndërmarrin masa, gjykata do të detyrohet të marrë vendime përfundimtare.
Në një paraqitje në televizionin Telma, Kostadinovski theksoi se raporti i Komisionit Evropian nuk tregon përparim në fushat e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit, por as regres, duke shtuar se “kjo gjendje e gjatë e mosndryshimit nuk është e mirë për shtetin”.
“Qytetarët kanë humbur besimin në të gjithë aparatin shtetëror”, deklaroi ai.
Kostadinovski iu referua disa çështjeve të hapura, përfshirë ligjin për balancuesin, ndryshimet në Kodin Penal dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ai sqaroi se shfuqizimi i ndryshimeve në Kodin Penal nuk do të rikthente rregullin e vjetër, pasi kjo do të nënkuptonte pandëshkueshmëri, ndërsa anulimi i tyre do të kthente në fuqi versionin paraprak të ligjit.
Sa i përket Ligjit për përdorimin e gjuhëve, kryetari njoftoi se deri në fund të muajit do të kërkojë një mendim nga gjyqtari raportues dhe se çështja pritet të shqyrtohet në seancë deri në muajin shkurt.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Kuvendit që të plotësojë përbërjen e Gjykatës Kushtetuese për të shmangur vendimet e bllokuara me rezultat të barabartë 4-4.
Në fund, Kostadinovski komentoi edhe procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke theksuar se “komisioni i mëparshëm ka bërë gabime në procedurat e ndjekura”.

