Konstatohen parregullsi në Klinikën e Pulmologjisë, vazhdon mbikqyrja inspektuese
Inspektimi i jashtëzakonshëm vazhdon në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup dhe dalin detaje të reja për keqpërdorime në disa nga klinikat. Alsat mëson se drejtori i Pneumologjisë, Dejan Dokiq është në prag të shkarkimit nga posti drejtues. Sipas informacioneve jozyrtare, në Klinikën e Pulmologjisë janë konstatuar parregullsi të shumta gjatë pandemisë. Sipas burimeve të Alsat, ka indikacione për keqpërdorime të mundshme të donacioneve në dy vitet e fundit. Dokiq ka qenë koordinator i qendrave për Covid, në periudhën kur ministër i Shëndetësisë ishte Venko Filipçe. Ministria e Shëndetësisë nuk jep detaje, por as konfirmojnë dhe as mohojnë se janë konstatuar parregullsi.
“Inspektimi i jashtëzakonshëm vazhdon në të gjitha klinikat e tjera. Deri më tani në dy klinika nuk janë konstatuar parregullsi, ndërsa për tri klinika të tjera kemi kërkuar informata shtesë. Për dy janë evidente të dukshme që mund të çojnë në shkarkimin e menaxhmentit të këtyre klinikave”, thonë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Sipas burimeve të Alsat-it, informacione shtesë janë kërkuar për Klinikën Infektive, ku gjatë pandemisë janë konstatuar keqpërdorime në lidhje me marrjen e pushimeve vjetore dhe të pushimeve mjeksore. Nëse këto pretendime vërtetohen, pozicioni i menaxhmentit aktual mund të ndryshohet.
“Ajo që mund të konfirmojmë është se sipas raportit të auditorit nuk është konstatuar asnjë dështim në Klinikën e Kardiologjisë, por nuk janë konstatuar parregullsi as në Klinikën e Endokrinologjisë”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë. /Alsat.mk


