“Komunalja” e Strugës pastron hapësirat përreth liqenit: Privatët të mirëmbajnë plazhet, ndryshe pastrimi u faturohet

Ndërmarrja Publike “Komunale” Strugë ka publikuar një njoftim me fotografi nga bregu i Liqenit të Ohrit, ku thekson kontrastin mes bukurisë natyrore të zonës dhe gjendjes shqetësuese të disa plazheve të ndotura me mbeturina plastike.

Sipas ndërmarrjes, një pjesë e konsiderueshme e këtyre hapësirave përgjatë bregut menaxhohen nga persona privatë, ndërsa fotografitë tregojnë edhe angazhimin e vazhdueshëm të ekipeve të saj në pastrimin dhe mirëmbajtjen e vijës liqenore.

NP “Komunale Strugë” u ka bërë thirrje të gjithë menaxhuesve të hapësirave që të kujdesen maksimalisht për pastërtinë, duke paralajmëruar masa konkrete në rast neglizhence.

“Çdo ndërhyrje për pastrimin e hapësirave të ndotura, e realizuar nga ekipet e ndërmarrjes publike, do t’u faturohet drejtpërdrejt personave përgjegjës, në përputhje me rregulloret në fuqi”, thonë nga “Komunalja” e Strugës.