Komuna e Strugës nxjerr në ankand Audi A6, çmimi fillestar rreth 21.800 euro

Komuna e Strugës ka njoftuar se më 16 të këtij muaji do të organizojë ankand për shitjen e veturës Audi A6, me çmim fillestar prej 1.344.636 denarë (rreth 21.800 euro).

Sipas njoftimit, ankandi do të nisë në ora 10:00 dhe do të zhvillohet online përmes platformës e-stvari.mk. Të ardhurat nga shitja pritet të përdoren për blerjen e një kombi, i cili do të shërbejë për nevojat e administratës komunale dhe të klubeve sportive në qytet.

Autoritetet komunale bëjnë të ditur se shpallja nr. 1/2026 për shitjen e automjetit përmes ankandit elektronik është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare, duke ftuar të gjitha palët e interesuara të marrin pjesë.

Ndryshe, kjo veturë ishte blerë për 67.000 euro në kohën kur kryetar i komunës ishte Ramiz Merko, duke shkaktuar debat publik, pasi blerja ishte realizuar në periudhë kur komuna kishte llogari të bllokuar. Për këtë rast ishte zhvilluar edhe proces gjyqësor, por Gjykata në Strugë vendosi se Merko nuk mban përgjegjësi për blerjen e automjetit.